Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, priti sot një grup studentësh nga Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup. Studentët ishin të shoqëruar nga profesoresha dhe zëvendësministrja e Transportit, znj. Kaltrina Zekolli Shaqiri.
Në një postim në rrjetet sociale, Gashi theksoi rëndësinë e këtij takimi, duke vlerësuar energjinë dhe entuziazmin e studentëve si shenjë shprese për të ardhmen.
“Me kënaqësi të madhe, prita në Kuvend një grup studentësh të Universitetit ‘Nënë Tereza’, të udhëhequr nga profesoresha e tyre, zëvendësministrja e Transportit, znj. Kaltrina Zekolli Shaqiri”, shkroi ai.
Gashi u informoi studentët për rolin dhe përgjegjësitë e tij si kryetar Kuvendi dhe për funksionimin e institucionit që ai drejton.
“Bashkëbisedimi me ta më rikujtoi edhe njëherë se e ardhmja ndërtohet mbi dije, përkushtim dhe vlera njerëzore; një energji që e lexova në fytyrat e tyre”, theksoi Gashi.
Ai përfundoi postimin me një mesazh inkurajues për të rinjtë, duke nënvizuar se investimi në arsim dhe përfshirja aktive e të rinjve në jetën publike janë çelësi për një të ardhme më të mirë për vendin.
https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2FAfrimGashiAlternAtivA%2Fposts%2Fpfbid02BYwFbnABDChLrmQAnyuyNBjq1GigJyL9BWvi8JEUce6FCUzomqMDoVKP5xdaAwJ3l&show_text=true&width=500