Prodhuesit japonezë të automjeteve, Nissan Motor Corporation dhe Honda Motor Company, kanë konfirmuar të mërkurën se janë duke diskutuar për një bashkëpunim më të ngushtë, teksa kanë mohuar raportimet se kanë vendosur të bashkohen.
Çmimi i aksioneve të Nissan-it u rrit për më shumë se 22 për qind në Tokio, pasi raportimet, që citonin burime të paidentifikuara, thanë se ai mund të bashkohet me Honda-n për të formuar grupin e tretë më të madh prodhues të automjeteve në botë, raporton AP. Çmimi i aksioneve të Honda-s, në anën tjetër, ra për 3 për qind.
Sipas raportimeve, anëtari i aleancës Nissan, Mitsubishi Motors Corporation, është, po ashtu, i përfshirë në bisedime.
Që të tre prodhuesit japonezë të automjeteve njoftuan në gusht se planifikonin të ndanin me njëri-tjetrin komponentë për automjete elektrike, si bateritë, dhe të punonin bashkërisht për programet për ngasje autonome, për t’iu përshtatur më mirë ndryshimeve dramatike në industrinë e automjeteve, të përqendruara rreth elektrifikimit.